Shqipëria sot shënon një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, ndërsa në Bruksel zhvillohet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, ku pritet të zyrtarizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.
Përpara se të shkojë në Bruksel, kryeministri Edi Rama po qëndron në Paris, ku po zhvillon një vizitë me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Rama mori pjesë në një darkë pune kushtuar mbështetjes për Ukrainën, ndërsa paradite është i pranishëm në Paradën Ushtarake me rastin e Festës Kombëtare të Francës.
Në Bruksel, delegacioni shqiptar do të kryesohet nga Rama, i cili do të marrë pjesë në konferencën në ambientet e Këshillit të Bashkimit Europian, duke nisur rreth orës 19:00.
Në këtë konferencë pritet të mbyllen zyrtarisht Kapitulli 25 “Kërkimi shkencor”, Kapitulli 26 “Arsimi dhe kultura” dhe Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, duke shënuar herën e parë që Shqipëria kalon nga faza e hapjes së kapitujve në atë të mbylljes së tyre.
Gjatë konferencës, Kryeministri Rama pritet të mbajë një fjalë përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në aktivitet do të jenë të pranishëm edhe ministri i Jashtëm i Irlandës, vendi që mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, si dhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. Në përfundim të takimit është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp, rreth orës 20:00.