Disa zakone të përditshme mund të ndikojnë në rritjen e tensionit të gjakut pa e kuptuar fare. Edhe pse mund të duken të padëmshme, këto sjellje mund të shkaktojnë rritje të përkohshme ose të vazhdueshme të presionit të gjakut, duke rritur me kalimin e kohës rrezikun për hipertension dhe sëmundje të zemrës.
1. Konsumoni shumë ushqime të përpunuara
Ushqimet ultra të përpunuara, të pasura me yndyrna të ngopura, kripë dhe sheqer, mund të dëmtojnë enët e gjakut dhe të favorizojnë shtimin në peshë, dy faktorë që lidhen ngushtë me tensionin e lartë. Ekspertët rekomandojnë të kufizoni konsumimin e tyre dhe të zgjidhni më shpesh fruta, perime, drithëra integrale, proteina pa yndyrë dhe yndyrna të shëndetshme.
2. Konsumoni shumë sheqer
Sasia e tepërt e sheqerit mund të shkaktojë rezistencë ndaj insulinës, duke bërë që organizmi të mbajë më shumë natrium dhe të aktivizojë sistemin nervor simpatik. Kjo rrit tensionin e gjakut dhe dëmton funksionimin normal të enëve të gjakut. Sipas kardiologëve, fruktoza duket të jetë veçanërisht problematike, pasi rrit nivelin e acidit urik, i cili pengon prodhimin e oksidit nitrik një substancë që ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut.
3. Nuk merrni mjaftueshëm kalium
Kaliumi ndihmon organizmin të eliminojë natriumin e tepërt dhe relakson enët e gjakut, duke kontribuar në uljen e tensionit. Mungesa e kaliumit mund të shkaktojë mbajtje të lëngjeve dhe ta bëjë organizmin më të ndjeshëm ndaj hormoneve të stresit. Burime të mira kaliumi janë bananet, patatet e ëmbla, perimet me gjethe jeshile dhe bishtajoret.
4. Merrni disa suplemente ose ilaçe
Disa ilaçe që merren pa recetë mund të rrisin tensionin e gjakut. Mes tyre përfshihen dekongjestantët për hundët e bllokuara, disa qetësues dhimbjesh si ibuprofeni, kortikosteroidet, medikamentet stimuluese dhe disa suplemente bimore si xhensen, jamballi (licorice) dhe ephedra. Nëse vuani nga tensioni i lartë, këshillohuni me mjekun përpara se t’i përdorni.
5. Jetoni nën stres të vazhdueshëm
Stresi kronik, qoftë nga puna, problemet familjare apo vështirësitë financiare, nxit çlirimin e hormoneve si kortizoli dhe adrenalina. Këto hormone ngushtojnë enët e gjakut dhe rrisin ritmin e zemrës, duke bërë që tensioni të rritet. Aktiviteti fizik, gjumi cilësor dhe aktivitetet relaksuese mund të ndihmojnë në menaxhimin e stresit.
6. Urinoni shpesh
Urinimi i shpeshtë mund të jetë shenjë e problemeve si diabeti, i cili mund të shkaktojë çrregullime të elektroliteve që ndikojnë në rregullimin e tensionit të gjakut. Gjithashtu, fshikëza tepër aktive është lidhur me një aktivitet më të lartë të sistemit nervor simpatik, i cili mund të rrisë presionin e gjakut.
7. Ndjeni dhimbje
Dhimbjet, qofshin ato nga një dëmtim, migrena apo sëmundje kronike si artriti, aktivizojnë sistemin nervor dhe rrisin përkohësisht tensionin. Ekspertët shpjegojnë se krijohet një rreth vicioz: tensioni i lartë mund të përkeqësojë dhimbjen e kokës, ndërsa dhimbja rrit edhe më shumë tensionin.
8. Flini pak
Nëse flini rregullisht më pak se shtatë orë në natë, organizmi aktivizon mekanizmat e stresit dhe çrregullon ekuilibrin hormonal, duke favorizuar rritjen e tensionit. Problemet kronike të gjumit, si apnea obstruktive e gjumit, lidhen gjithashtu me hipertensionin rezistent ndaj trajtimit.
9. Konsumoni shumë alkool
Pirja e tepërt e alkoolit mund të rrisë tensionin si menjëherë pas konsumimit, ashtu edhe në afat të gjatë, duke dëmtuar funksionimin normal të enëve të gjakut. Ekspertët rekomandojnë të mos konsumohen më shumë se dy pije alkoolike në ditë për burrat dhe një për gratë.
10. Pini duhan
Çdo cigare shkakton një rritje të përkohshme të tensionit, pasi nikotina ngushton enët e gjakut dhe stimulon sistemin nervor. Me kalimin e viteve, ky efekt i përsëritur dëmton arteriet dhe rrit rrezikun për hipertension kronik dhe sëmundje kardiovaskulare.
11. Qëndroni ulur për periudha të gjata
Mungesa e aktivitetit fizik favorizon shtimin në peshë, dobëson shëndetin e enëve të gjakut dhe rrit aktivitetin e sistemit nervor, duke ndikuar në rritjen e tensionit. Ekspertët rekomandojnë aktivitet fizik të rregullt, veçanërisht ushtrimet aerobike si ecja e shpejtë, çiklizmi apo noti. Studimet tregojnë se aktiviteti fizik i rregullt mund të ulë tensionin sistolik dhe diastolik mesatarisht me 5–7 mmHg.