Aktualitet Politikë

“Bujqësinë duhet ta kthejmë në sipërmarrje fitimprurëse”- Rama: Pushteti vendor duhet të jetë pararojë dhe jo pengesë!

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se bujqësia duhet të dalë nga koncepti i subvencionit thjesht për mbijetesë dhe të marrë formën e një sipërmarrjeje të mirëfilltë, që sjell fitim dhe jep kuptim të plotë jetës në fshat.

Kreu i qeverisë theksoi se vizioni për bujqësinë nuk mund të mbështetet vetëm në ndihma financiare për të “mbajtur frymën gjallë”, por në një qasje transformuese që synon të krijojë një sipërmarrje rurale të fuqishme.

Ai u ndal edhe te roli i pushtetit vendor, duke kërkuar që bashkitë të bëhen pikë mbështetjeje për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë, dhe jo pengesë për zhvillimin e projekteve.

“Nëse nuk i japim dot bujqësisë profilin e sipërmarrjes dhe mos t’i japim atyre qe duan të jenë në fshat të ngrenë një sipërmarrje dhe që të dalin me një fitim që ja bën kuptimplotë jetën në fshat ne nuk e kemi kryer detyrën.

Kjo nuk është një histori subvencionesh për të mbajtur frymën, por duhet të jetë një histori për të transformuar frymën e jetës së një sipërmarrje rurale. Ky vend duhet të ketë një sipërmarrje rurale të fuqishme. Ne kemi ambicion që t’i kushtojmë më tepër rëndësi agro përpunimit, më shumë rëndësi rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje.

Kjo nuk mund të jetë çështje fati, apo dëshirë e disa individëve, por një strukturë e tërë pune të përbashkët. Pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Duhet të jetë pika e parë mbështetëse për ata që duan të zgjerojnë apo të bëjnë sipërmarrje të reja. Në të gjitha aspektet.

Jo sic ndodh shpesh që pushteti vendor të jetë problemi kryesor për të marrë një vërtetim, për të marrë një leje, për të zhvilluar një projekt, në aspektin fizik”, tha Rama në bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në fushën e bujqësisë.