Aktualitet

Zbardhet vendimi Gjykatës së Lartë, MABCO rikthehet në administrimin e Aeroportit të Vlorës pas tensioneve!

Zbardhja e vendimit të Gjykatës së Lartë, që rikthen kontrollin e Aeroportit të Vlorës tek investitori kryesor MABCO, pritet të kthejë rifillimin e punës në kantier e që ishte bllokuar prek kohësh për shkak të konflikteve mes ortakëve dhe nënkontraktorëve.

Vendimi i shkallës më të lartë të gjyqësorit rrëzon vendimet e mëparshme të dy shkallëve të gjykimit, duke i njohur MABCO-s të drejtën për të administruar projektin. Për pasojë, kompania pritet të rikthehet menjëherë në kantier për të vazhduar punimet e ndërprera.

Konflikti mes MABCO Construction dhe kompanisë 2A Group ka krijuar ditët e fundit një situatë të tensionuar në hyrjet e kantierit të aeroportit. Mosmarrëveshja solli bllokimin e hyrjes së punonjësve dhe mjeteve të nënkontraktorëve, duke pezulluar përkohësisht punimet dhe shkaktuar vonesa në ecurinë e projektit.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës së Lartë, pritet që aktiviteti në kantier të rikthehet në normalitet dhe punimet të vijojnë sipas planit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës konsiderohet një nga projektet strategjike më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, ndërsa autoritetet synojnë përfundimin e tij brenda afateve të parashikuara, me qëllim rritjen e kapaciteteve të transportit ajror dhe zhvillimin e turizmit në jug të vendit.