Shqipëria është vendi më bujqësor i Europës për shkak të madhësisë së sektorit në ekonomi (rreth 20% e PBB-së më 2021-shin) dhe kontributit në punësim. Por, nga ana tjetër ka çmimet më të larta të bulmetit në Europë.
Vitin e kaluar u renditëm ndër vendet europiane me çmimin më të lartë të produkteve të bulmetit e të vezëve, në një publikim të fundit të Eurostat-it mbi të dhënat e konsumit për frymë në shtetet e BE-së dhe ato kandidate.
Në Shqipëri, çmimet e bulmetit e të vezëve ishin sa 111.7% e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian. Nëse në BE, 1 kilogram nga këto produkte mesatarisht kushton 100 lekë, në Shqipëri kushtoi 111.7 lekë, më 2022-shin.
Shqipëria u rendit në mesin e 14 vendeve europiane me çmimin më të lartë të bulmetit vitin e kaluar. Tre vitet e fundit, në shumë vende të Europës çmimet shënuan rënie në krahasim me mesataren e BE-së, por në Shqipëri pati rritje.
Më 2020-ën, në vendin tonë, çmimet e bulmetit dhe vezëve ishin sa 105% e mesatares së BE-së, por në dy vitet e mëvonshme u rritën dhe me 6.8 pikë përqindje.
Të dhëna të detajuara nga Eurostat-i tregojnë se në vitin 2022, çmimet më të lira për bulmetin dhe vezët në raport me mesataren e BE-së ishin në Poloni me 75%, më tej në Maqedoni të Veriut me 82.2%, në Bosnjë 90.1%, Francë me 90.3 e Turqi me 94.7%.
Edhe Italia (108.7%), Spanja (102), Gjermania (102%) e kanë bulmetin më lirë se në Shqipëri.
Në anën tjetër, Islanda një shtet i vogël ishullor në veri të Europës e ku në pjesën më të madhe të vitit bie dëborë, çmimet e bulmetit janë sa 167.2% të BE-së. Më pas vjen Norvegjia me 151.6%, Zvicra me 148.8%, Greqia me 139.8%, Malta 131%, etj.
Si rrjedhojë e çmimeve të larta, shpenzimet për frymë të shqiptarëve për konsumin e bulmetit dhe vezëve u rritën ndjeshëm në vitin 2022, duke arritur në 324 euro për banorë në vit.
Nga 2019-ta në vitin 2022, shpenzimet e shqiptareve për bulmet dhe vezë u rritën me 30.6% sipas të dhënave të Eurostat-it.
Shpenzimet më të ulëta për frymë për bulmet i kanë irlandezët, serbët, bullgarët e polakët, me më pak se 200-232 euro në vit për frymë.
Bulmeti dhe vezët janë produkti kryesor i shportës së mallrave me rëndësi të lartë në procesin ushqyerjes, të rekomanduara për konsum të përditshëm në të gjithë grup-moshat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Përveçse rëndojnë kostot e jetesës, çmimet e larta të këtyre produkteve rrezikojnë seriozisht shëndetin e popullatës që nuk mund të përballojë financiarisht blerjen e përditshme të tyre.
Industria vendase e përpunimit të qumështit po vuan rritjen e kostove dhe rënien e numrit të bagëtive, çka ndikon në rritjen e çmimeve, duke e bërë atë jo konkurruese dhe favorizuar importet. /Monitor