Aktualitet

Cannabis në lokal, arrestohet kamarierja në Fier/Në kërkim pronari!

Shiste bimë narkotike, Cannabis Sativa në një lokal në Fier, pranga kamarieres.  Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drugs”, u arrestua shtetasja me iniciale M.K., 42 vjeçe. Për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi S.O., 43 vjeç ndërsa kushëriri i tij po procedohet në gjendje të lirë. Nga kontrolli në automjet iu gjetën e sekuestruan 13 mijë euro, shumë që dyshohet e përfituar nga veprimtaria kriminale.

Njoftimi:

DVP Fier

Kishte përshtatur lokalin për veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve, shpallet në kërkim pronari i lokalit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Drugs”, është vënë në pranga një 42-vjeçare, që shiste drogën në lokal.

Procedohet edhe një 30 vjeçar, kushëriri i pronarit të lokalit pasi gjatë kontrollit iu gjetën 13.000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, në kuadër të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Drugs”, kanë vënë në pranga shtetasen M.K., 42 vjeçe, banuese në Fier.

E punësuar si kameriere dhe banakiere në një lokal në lagjen “1 Maji”, Fier, kjo shtetase u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe nga kontrolli fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa. 42 vjeçarja u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga kontrolli i lokalit u gjetën mbetje të lëndës narkotike cannabis sativa që dyshohet se ishte konsumuar nga klientë të ndryshëm të lokalit.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, pronari i lokalit, shtetasi S.O., 43 vjeç, banues në Fier.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi M.O., 30 vjeç, banues në Fier, pasi nga kontrolli i automjetit të parkuar në lokal, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi parash prej 13.000 euro të cilat dyshohet t’i ketë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, 13.000 euro, 1 automjet, 1 grirëse dhe 3 celularë. Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimi i plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.