Rajoni

Çedomir Aksiç dënohet në mungesë me 15 vjet burg për krime lufte në Kosovë!

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 15 vjet burg Çedomir Aksiçin për krime lufte në komunën e Shtimes. Gjyqi ndaj tij u zhvillua në mungesë dhe është dënuar për krime që sipas aktakuzës u kryen në muajt janar-maj 1999, siç raporton Betimi për Drejtësi. Në nëntor 2023 nisi gjykimi dhe ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk lejohen proceset në mungesë.

Në seancën e parë, Prokuroria tha se shfrytëzoi të gjitha mundësitë ligjore që Arsiç të ishte i pranishëm në gjykatë, por nuk u arrit. Referuar aktakuzës që u ngrit majin e vitit të kaluar, Çedomir Aksiç, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, pati urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, mes fshatrave Mulapolc, Reçak e Petrovë, në komunën e Shtimes.

Në aktakuzë thuhet se më pas, dogjën shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar dëme morale dhe materiale.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomir Aksiç ekzekutoi një person, familjen e të cilit e ndaloi paraprakisht. Po sipas aktakuzës, Aksiç ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skënder Halitit e Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Aksiç u lind në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Sipas Kodit të Procedurës Penale, gjykimet në mungesë mbahen në rastet kur i akuzuari heq dorë vetë nga e drejta për të qenë i pranishëm në proceset gjyqësore.

Një gjykim i tillë mund të mbahet kur Prokuroria dhe Gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për sigurimin e pranisë së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim. Në lidhje me marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.