Gjatë “zgjedhjeve” papale, tymi që ngrihet nga oxhaku i Kapelës Sistine është sinjali kryesor për botën katolike: tym i zi kur nuk ka ende një Papë, dhe i bardhë kur është zgjedhur. Por si krijohet ky efekt?
Vatikani ka bashkëpunuar me ekspertë për të siguruar ngjyra të qarta e të padiskutueshme.
Brenda Kapelës ndodhen dy soba të lidhura me një oxhak: në njërën digjen fletëvotimet, ndërsa tjetra ka një pajisje elektronike që lëshon tym duke aktivizuar një fishek me përbërje kimike.
Për tymin e zi përdoret një përzierje me perklorat kaliumi, antracen dhe squfur, që prodhon një tym të dendur dhe të errët. Ndërsa për tymin e bardhë, përbërësit përfshijnë klorat kaliumi, laktozë dhe rrëshirë pishe – kjo e fundit krijon një re të bardhë avulli falë përmbajtjes së ujit dhe acideve karboksilike.
Kombinimi i traditës dhe shkencës siguron që sinjali të jetë i qartë për miliona besimtarë në mbarë botën, pa lënë vend për keqkuptime.