Tesla ka bërë të qartë se ka një qëndrim të fortë kundër vandalizmit në objektet e saj dhe ka aktivizuar një strategji të re për të rritur sigurinë e automjeteve në të gjithë SHBA-në. Kompania ka vendosur të aktivizojë modalitetin Sentry në të gjitha veturat Tesla të vendosura në sallonet dhe qendrat e shërbimit, një veprim që vjen pas përshkallëzimit të incidenteve të sulmeve ndaj automjeteve Tesla, si në SHBA ashtu edhe në shtete të tjera.
Ky hap erdhi pas një sugjerimi nga një investitor i njohur i Teslas, i cili propozoi që kompania të rrisë sigurinë duke punësuar roje në ekspozitat dhe qendrat e shërbimit në të gjithë SHBA-në dhe Kanadanë, derisa situata të qetësohej.
Elon Musk reagoi shpejt dhe njoftoi se Tesla kishte rritur masat e sigurisë dhe kishte aktivizuar Sentry Mode në të gjitha automjetet në vendndodhjet e saj.
Sentry Mode përdor kamerat e jashtme të vendosura në të gjitha modelet Tesla për të regjistruar vazhdimisht ngjarjet që ndodhin rreth automjetit.
Ky sistem është treguar jashtëzakonisht i dobishëm për pronarët e Tesla-s gjatë viteve, duke mundësuar kapjen e vandalëve dhe hajdutëve në pamje të qartë.
Megjithatë, ky hap mund të përbëjë një “thikë me dy thela” për Musk, pasi vandalët mund të përshtaten dhe të marrin masa paraprake për të shmangur identifikimin, si mbulimi i fytyrës.
Po ashtu, një nga shqetësimet kryesore lidhet me ndikimin që ka Sentry Mode në jetëgjatësinë e baterisë.
Tesla nuk ka publikuar ende shifrat zyrtare për sa bateri konsumohet nga ky sistem, por testet e pavarura sugjerojnë se mund të shkarkojë midis 10-15% të baterisë çdo ditë.