Aktualitet Rajoni

Çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të djeshme në Kosovë?

Kur janë numëruar 90% të votave, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41%, e ndjekur nga Partia Demokratike me 22.37%, Lidhja Demokratike me 17.57 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me 7.56. Kryeministri Albin Kurti tha se janë fituesit që do të formojnë kabinetin e ardhshëm, por nuk dha detaje se me kë mund ta provojë këtë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 40.6% e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e djeshme, afro 7% më pak se në të vitit 2021.

20 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës u takojnë pakicave kombëtare. Dhjetë prej tyre janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb. Lista Serbe që përkrahet nga Beogradi, mori 3.98% të votave dhe sipas kryetarit të saj Zlatan Elek, “është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve”.

Ndërsa vazhdon numërimi i votave, rezultati i zgjedhjeve lë hapur shumë mundësi. Nëse Vetëvendosje nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare, vështirë të formojë qeverinë me deputetë të pakicave. Kurti e ka përjashtuar këtë opsion. Mundësia tjetër është që opozita të provojë të formojë qeverinë e re, pasi të kenë shteruar përpjekjet e Vetëvendosjes.

Cilado të jetë qeveria e re e Kosovës, nuk ka dyshime se duhet që të përballet me sfida për të përmirësuar gjendjen ekonomike, arsimin e shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë. Në planin e jashtëm do të përballet me përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me veprimet e saj në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e re do të përballet edhe me procesin e ngecur të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimi Europian iu kanë kërkuar të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës “Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë “de facto” pavarësinë e Kosovës”./VOA