Aktori i njohur hollivudian Chris Evans, i famshëm në mbarë botën për rolin e tij si “Captain America”, ka përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të jetës, është bërë baba për herë të parë.
Sipas mediave amerikane, përfshirë “TMZ”, Evans dhe bashkëshortja e tij, aktorja portugeze Alba Baptista, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të parë pas dy vitesh martesë.
Edhe pse çifti nuk ka bërë ende një njoftim zyrtar dhe nuk kanë zbuluar gjininë apo emrin e foshnjës, burime pranë çiftit kanë konfirmuar se Alba ka lindur të shtunën në Massachusetts.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm të madh në rrjetet sociale, ku fansat kanë nisur urimet për çiftin e dashur të Hollywood-it.
Thashethemet për shtatzëninë nisën që në korrik, kur babai i aktores, Luiz Baptista, la një koment domethënës në një postim për Ditën e Baballarëve, duke shkruar:
Chris, tani është radha jote!
— një shenjë që tashmë duket se ishte më shumë se një shaka familjare.
Në një intervistë për revistën “People”, Evans kishte shprehur më herët dëshirën për t’u bërë baba, duke thënë me humor se ai dhe Alba po mendonin të “adoptonin një qenush” për t’u përgatitur për një familje të madhe.
Ndërsa në një prononcim për “Access Hollywood” në nëntor 2024, aktori u pyet nëse ishte gati të bëhej “superhero baba”, dhe ai u përgjigj me entuziazëm:
Po, absolutisht. Të quhesh baba është një titull emocionues.
Chris Evans dhe Alba Baptista u lidhën për herë të parë në vitin 2021 dhe dolën publikisht si çift në nëntor 2022.
Vetëm një vit më vonë, në shtator 2023, ata kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni intime në Boston, ku morën pjesë edhe disa prej kolegëve të Evans nga universi “Avengers”, përfshirë Robert Downey Jr. dhe Chris Hemsworth.
Lajmi për lindjen e fëmijës së tyre është pritur me shumë dashuri nga fansat në mbarë botën, duke shënuar një kapitull të ri në jetën personale të një prej aktorëve më të dashur të Hollywood-it.