Health & Beauty Lifestyle

Cilët janë faktorët kryesorë të goditjes në tru?

Një studim i botuar në revistën mjekësore “Neurology”, e publikuar nga Akademia Amerikane e Neurologjisë, ka identifikuar disa faktorë të rrezikut të rëndësishëm për goditjen në tru.

Faktorët kryesorë përfshijnë presionin e lartë të gjakut, rrahjet e parregullta të zemrës (fibrilacionin atrial) dhe pirjen e duhanit, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në rrezikun për goditje në tru.

Në studim morën pjesë 27,000 individë nga 32 shtete, me një moshë mesatare prej 62 vjetësh, ku gjysma e tyre kishin përjetuar një goditje në tru, ndërsa gjysma tjetër jo. Grupi i të prekurve nga goditja në tru u nda në dy kategori: 4,848 individë që kishin pësuar një goditje të rëndë dhe 8,612 që kishin pasur një goditje më të lehtë ose mesatare.

Goditjet e rënda u karakterizuan nga pasojat e rënda, që mund të përfshinin paaftësinë për të ecur ose kujdesin për veten, madje edhe nevojën për kujdes të përhershëm shëndetësor. Ndërsa goditjet më të lehta ose mesatare shpesh nuk kishin simptoma serioze, por mund të kërkonin ndihmë për kujdesin personal, me mundësinë që individi të mund të ecë vetë.

Studiuesit e këtij hulumtimi identifikuan një sërë faktorësh të tjerë rreziku, të cilët mund të ndihmojnë në parashikimin e goditjeve në tru. Këtu përfshihen presioni i lartë i gjakut (mbi 140/90 mmHg), fibrilacioni atrial, diabeti, kolesteroli i lartë, pirja e duhanit, përdorimi i alkoolit, cilësia e dietës, mungesa e aktivitetit fizik, stresi psikologjik dhe social, si dhe mbipesha, veçanërisht yndyra rreth belit.

Analiza e të dhënave ka treguar se individët me presion të lartë të gjakut kanë 3.2 herë më shumë mundësi të pësojnë një goditje të rëndë dhe 2.9 herë më shumë mundësi të kenë një goditje më të lehtë ose mesatare, krahasuar me ata që nuk vuajnë nga hipertensioni. Po ashtu, ata që kanë fibrilacion atrial kanë 4.7 herë më shumë mundësi të pësosh një goditje të rëndë dhe 3.6 herë më shumë mundësi të kenë një goditje të lehtë ose mesatare. Duhanpirësit gjithashtu kanë rrezik më të lartë, duke pasur 1.9 herë më shumë mundësi të përjetojnë një goditje të rëndë dhe 1.7 herë më shumë mundësi të kenë një goditje të lehtë ose mesatare krahasuar me ata që nuk pinë duhan.

Ky studim vë në dukje rëndësinë e kontrollit të faktorëve të rrezikut si hipertensioni, fibrilacioni atrial dhe pirja e duhanit për të parandaluar goditjet në tru dhe për të ulur ndikimin e pasojave të mundshme të tyre.