Franco Mastantuono, përforcimi më i ri i Real Madridit, pritet të jetë lojtari me pagën më të ulët në ekip, pavarësisht shumës së madhe që klubi spanjoll pagoi për ta transferuar nga River Plate.
Mesfushori ofensiv do t’i bashkohet zyrtarisht “Los Blancos” më 14 gusht, ditën kur mbush 18 vjeç, pasi Real Madridi shpenzoi plot 45 milionë euro për shërbimet e tij. I konsideruar si një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas dhe krahasuar shpesh me legjendën Juan Roman Riquelme, Mastantuono ka zhvilluar 30 ndeshje me ekipin e parë të Riverit, duke shënuar 5 gola.
Sipas “Mundo Deportivo”, paga e tij vjetore në Madrid do të jetë vetëm 3.5 milionë euro, shumë më e ulët krahasuar me yjet e skuadrës si Kylian Mbappe (30 milionë euro) apo Vinicius Junior, David Alaba dhe Jude Bellingham (rreth 20 milionë euro secili). Madje, edhe të rinjtë Endrick (4 milionë euro) dhe Arda Guler (5 milionë euro) do të fitojnë më shumë se talenti argjentinas.
Megjithatë, ky është një model që Real Madridi e ka aplikuar edhe më parë. Klubi ka paguar shuma të larta për lojtarë të rinj si Vinicius dhe Rodrygo, por i ka mbajtur pagat fillestare të ulëta, për t’i rritur më vonë në bazë të performancës dhe rinovimeve të kontratave.
Në sytë e drejtuesve madrilenë, Franco Mastantuono është investim afatgjatë, që mund të ndjekë të njëjtën rrugë drejt yllëzimit.