Sot samiti i 7-të i Komunitetit Politik Europian. Në Kopenhagen të Danimarkës janë mbledhur liderë europianë, si dhe nga 22 vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, Kosovën e Ukrainën që përfaqësohen nga kryeministri Edi Rama, presidentja Vjosa Osmani dhe presidenti Volodymyr Zelensky. BE-ja njoftoi:
Udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Europë dhe për një gjendje më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballemi.
Sipas Unionit, gjatë samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh për aspekte të situatës së sigurisë në Europë, përfshirë “kërcënimet tradicionale e hibride, sigurinë ekonomike dhe emigracionin”. Në këtë takim, Unioni do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa dhe takimi bashkëdrejtohet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Nga Presidenca e Kosovës thanë se Komuniteti Politik Evropian synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.
Krahas sesionit të Komunitetit Politik Europian dhe kohës për takime dypalëshe, udhëheqësit do të ndahen në tri gupe punuese për tema që kanë të bëjnë me sigurinë e rezistencën: Kërcënimet tradicionale dhe të reja; Siguria Ekonomike: Reduktimi i varësive europiane dhe Emigracioni: Kontrolli Efektiv i Flukseve Migratore.
Komuniteti Politik Europian u prezantua më 2022-shin, si një ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Europës. Në samitin e parë të mbajtur në tetor të vitit 2022 në kryeqytetin çek Pragë, Macron e hodhi poshtë idenë se ky komunitet është një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ia kujtuar këtë udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor.
Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kosova qëndron e fundit në rrugën europiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtetet që kanë bërë përparimin më të madh në rrugën drejt bllokut europian. Tirana synon që të bëhet pjesë e BE-së deri më 2030-ën.