Gossip Showbiz

“Dashuria ime e parë dhe e fundit është Ilir Meta” Monika Kryemadhi flet pa filtra për ndarjen, dashurinë dhe jetën pas divorcit!

E drejtpërdrejtë dhe pa asnjë hezitim në deklarata, Monika Kryemadhi po tërheq vëmendje jo vetëm në skenën politike, por edhe si opinioniste në Big Brother VIP Albania, ku komentet e saj dallohen për sinqeritetin dhe mungesën e filtrave.

Në një intervistë për emisionin Ftesë në 5 me Bieta Sulon, Kryemadhi tregoi se kjo mënyrë e të shprehurit e ka shoqëruar gjithmonë, edhe në jetën personale.

Unë edhe kur kam qenë e martuar, nuk kam pasur filtra për deklaratat. Nuk kam pasur kurrë mentalitetin se çfarë do të thonë të tjerët. Tani aq më pak

-tha ajo mes të qeshurave.

E pyetur nëse beson ende te dashuria pas divorcit, përgjigjja e saj ishte e qartë dhe emocionale:

Besoj te dashuria, është kryesore, ngroh shpirtin

Megjithatë, Kryemadhi la të kuptohet se ndjenjat e saj janë ende të lidhura me ish-bashkëshortin, Ilir Meta, duke e cilësuar atë si dashurinë e saj të parë dhe të fundit.

Ajo theksoi se fundi i një marrëdhënieje nuk do të thotë gjithmonë fund i ndjenjave për të dyja palët në të njëjtën kohë.

Nuk mendoj se jam në një fazë për të dashuruar dikë tjetër. Unë e kam dashurinë time. Ajo ka kaluar në shumë sfida dhe edhe kur vjen momenti që mbaron, nuk do të thotë që mbaron nga ana tjetër

-u shpreh Kryemadhi.

Ajo pranoi gjithashtu se politika ka qenë elementi që i ka bashkuar dhe njëkohësisht i ka ndarë.

E gjithë jeta ime politike ka filluar me Metën në krahë. Politika na bashkoi dhe politika na ndau

-tha ajo, duke shtuar se kurrë nuk e ka parë marrëdhënien e tyre si pengesë për karrierën e saj politike.

Rrëfimi i Kryemadhit është pritur me interes të madh nga publiku, duke hapur diskutime mbi dashurinë afatgjatë, ndarjet dhe mënyrën se si emocionet personale ndërthuren me jetën publike dhe politike.