Ceremonia e nënshkrimit të Bordit të Paqes për Gazën në Davos të Zvicrës, presidenti amerikan, Donald Trump tha se është një ditë shumë emocionuese dhe vuri në dukje se “të gjithë duan të jenë pjesë e tij”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Bordi i Paqes do të bashkëpunojë me “shumë të tjerë, përfshirë Kombet e Bashkuara”.
Sot ka paqe në Lindjen e Mesme. Sa i përket Hamasit, nëse nuk çarmatoset, ky do të jetë fundi për të. Ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë i presidentit amerikan.
Trump i ftoi liderët një nga një që të nënshkruajnë pjesëmarrjen në bord. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në mesin e tyre.
Ky bord është pjesë e planit Trump për të rindërtuar Gazën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje konfirmoi se Kosova ka pranuar që të jetë pjesë. Nga vendet e rajonit, ftesën e ka konfirmuar edhe Shqipëria.
Me 80 vota pro dhe 22 kundër, sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e propozuar pas ftesës së presidentit amerikan Donald Trump.
Më herët gjatë ditës, kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se seanca plenare shtyhet me një orë, duke theksuar se projektligji duhet të kalojë fillimisht në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, e më pas të rikthehet për diskutim dhe miratim në seancë plenare. Pas mbledhjes së komisionit deputetët të rikthehen në sallë në orën 12:00, për diskutimet dhe votimin përfundimtar.
Sa i përket ceremonisë në Davos të Zvicës, kujtojmë se aty mbahet edhe Forumi Ekonomik Botëror. Pas firmave, fjalën e mori sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.