Sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem shkurtoi kohëzgjatjen e qëndrimit në Shtetet e Bashkuara për 600 mijë shtetas të Venezuelës që pritet të dëbohen ndërsa administrata e re e presidentit Donald Trump po kërkon mënyra për të përshpejtuar largimin e tyre nga vendi.
Sekretarja Noem i tha televizionit “Fox News” se shfuqizoi masën e administratës së mëparshme që shtetasve të Venezuelës t’u zgjatej leja e qëndrimit për 18 muaj shtesë dhe t’u lejonte aksesin te lejet e punës përmes programit të Statusit me Mbrojtje të Përkohshme apo TPS. Po ashtu la të hapur mundësinë që lejet e tyre të qëndrimit të skadojnë gjatë këtij viti.
Në të njëjtën kohë është angazhuar me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio për të gjetur forma se si të dëbohen shtetasit e Venezuelës dhe emigrantët e shteteve të tjera, të cilët e kanë të kufizuar numrin e të dëbuarve që pranojnë. E pyetur për mundësinë që emigrantët të dërgohen në bazën e forcave detare amerikane në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, u shpreh se kjo mundësi po analizohet nga administrata.
Guantanamo ka një qendër emigrantësh të veçantë nga burgu amerikan i sigurisë së lartë e që është shfrytëzuar herë pas here gjatë dekadave të fundit, edhe për të strehuar emigrantët nga Haiti dhe kubanezët që ishin shpëtuar në det.
Presidenti Trump u përpoq që t’u jepte fund pothuajse të gjitha programeve që mundësojnë qëndrimin në Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të tij të parë, por përpjekjet e tij u penguan nga gjykatat federale.
Programi TPS është për emigrantët, shteti i origjinës i të cilëve është i përfshirë nga një katastrofë natyrore, konflikt i armatosur apo ngjarje tjetër e jashtëzakonshme. Ish-presidenti demokrat, Joe Biden, e zgjeroi shumë programin dhe tani përfshin mbi 1 milion njerëz nga 17 shtete. Shumë mund të dëbohen nëse e humbasin statusin e tyre.
Ish-sekretari për Sigurinë Kombëtare, Alejandro Mayorkas e zgjati programin për t’u mundësuar shtetasve të Venezuelës qëndrimin në SHBA pak para se Trump të fillonte mandatin, edhe pse leja e qëndrimit për disa prej tyre nuk skadonte deri në muajin prill e për disa deri në shtator. Ai po ashtu e zgjati programin e qëndrimit të përkohshëm për shtetasit e El Salvadorit, Ukrainës dhe Sudanit.
Sekretarja Noem i tha kanalit televiziv “Fox News” se administrata Trump nuk dëshiron që të jetë e kufizuar nga vendimi i momentit të fundit nga Mayorkas për të zgjatur lejeqëndrimet dhe se ata duan të çrrënjosin pjesëtarët e supozuar të bandës së Venezuelës, Tren de Aragua (TdA).
Do ta respektojmë procesin, do t’u bëjmë të gjithë këtyre individëve që gjenden në vendin tonë një vlerësim, përfshirë shtetasve të Venezuelës që janë këtu dhe pjesëtarëve të TdA-së.
Sekretarja Noem duhet të marrë një vendim deri të shtunën nëse do ta ndërpresë programin TPS për emigrantët e Venezuelës, të cilëve u skadon lejeqëndrimi në prill, sipas njoftimit që e ka analizuar agjencia Reuters.
Shumë janë tërësisht të varur nga statusi i tyre përmes programit TPS për të punuar me leje, në kompani të mëdha e të mesme, në hotele, Amazon, qendra për përkujdesjen e të moshuarve dhe spitale.