Aktualitet

Deklaratat e Athinës për Fredi Belerin, reagon kryediplomatja Xhaçka!

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka reagoi për arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit ku do të garonte si kandidat i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Sipas shefes së diplomacisë, “fillimisht duhet t’i lihet drejtësisë të hetohet si çështje”. Athinës i kërkon që gjendjen ta monitorojë nga afër, pa presione.

Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

Kandidatura e shtetasit shqiptar, Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me provat.

Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Eshtë mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.

Nisën katër ditë më parë hetimet e Prokurorisë së Vlorës për korrupsion në zgjedhje ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri. Në një dalje për mediat, prokurori i Vlorës, Aurel Zarka bëri të ditur se janë siguruar prova për akuzën e blerjes së votave. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, 40 mijë lekë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Hetimet vazhdojnë.

Më datë 08.05.2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 489, mbi bazën e referimit të bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.   Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.  Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Dh.B. alias A.B., 51 vjeç dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.   Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj. Hetimet vazhdojnë.