Sport

Derbi i kryeqytetit Dinamo-Partizani, nuk ka fitues në “Elbasan Arena”!

Është mbyllur në barazim 1-1, derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Partizanit i zhvilluar në “Elbasan Arena”.

Kapiteni Agim Ibraimi kaloi blutë e Bledi Shkëmbit në avantazh në minutën e 15-të, ndërkohë që Sofranak u ndëshkua me kartonin e kuq në fundin e pjesës së parë.

Partizani u hodh i gjithi në sulm në pjesën e dytë, teksa vendosi baraspeshën në minutën e 76-të me anë të Stenio Zhuniorit që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, rezultati mbeti i pandryshuar në minutat në vijim.

Ky ishte barazimi i tretë radhazi për të dyja skuadrat duke u ndalur sërish në javën e katërt të kampionatit.

Dinamo ngjitet në vendin e dytë me 6 pikë të grumbulluara pas katër ndeshjesh, ndërsa Partizani mbetet në vendin e 6-të me 3 pikë pas katër ndeshjesh.

Dinamo-Partizani hapi siparin e javës së katërt të edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore. Përballja e 136-të mes dy ekipeve ishte e veçantë, pasi erdhi pas një mungese gati 9-vjeçare, ku për herë të fundit janë ndeshur më 16 mars 2013 në Kategorinë e Parë.