Aktualitet Rajoni

Dhjetëra kamionë nga Serbia presin të kalojnë kufirin me Kosovën!

Në pikën kufitare të Merdares në territorin e Serbisë janë duke pritur rreth 60 kamionë për të hyrë në Kosovë. Vargu i mjeteve transportues nuk është shumë i gjatë se siç thanë shoferët, shumë nga ata që mësuan lajmin se nuk u lejohet hyrja në Kosovë, janë ndalur në parkingje dhe pika të karburanteve.

Radio Evropa e Lirë sjell rastin e Gazmend Kastratit, shofer i një kompanie nga Kosova, i cili sot po transportonte grurë nga Serbia për në Kosovë. Edhe pse mjeti i drejtuar prej tij ka targa të Kosovës, nuk i lejohet hyrja në territorin e Kosovës për shkak se malli ka origjinën nga Serbia.

Ne jemi duke pritur nga ora 08:00, pak para orës 08:00, 10 apo 15 minuta kur ka qenë ndërrimi. Eshtë bllokuar diçka. Vendimi është i qeverisë së Kosovës. Se për çfarë e kanë marrë atë vendim, as ne s’kemi informacione të tjera, duke pritur jemi. Çfarë do të bëhet s’e di.

Ata që morën informacion, kamionët i kanë lënë në parkingje. Ne që nuk patëm informacion, erdhëm drejt e këtu. Në kufi pyetëm tani, por nuk kanë ndonjë vendim derisa ta marrin… ku ta di unë, atje nga lart.

Nenad Nastasieviç, shofer kamioni me targa të Serbisë ishte rrugës për të dërguar pllaka gipsi me origjinë nga Bullgaria për në Kosovë, por atij iu tha se nuk mund të kalojë kufirin.

Epo probleme, probleme të mëdha. Po vonojmë dërgesat dhe po vështirësohen pagesat. Humbasim para’ këtu. E shihni ku po qëndrojmë, nuk kemi kushte elementare.

Radhët në kufi u shtuan pasi qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se synimi i tyre është siguria, e shtoi se “siguria fillon te kufijtë”.

Për arsye sigurie, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla e që u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë autoritetet e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe financave të Kosovës, pasi dje tre zyrtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë, për të cilët Prishtina zyrtare thotë se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë veprimet e Serbisë e theksoi se është “i habitur nga heshtja”.