Aktualitet

Dhoma Amerikane e Tregtisë konstaton sërish rënie të besimit të biznesit në vend!

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot Indeksin Vjetor për 2020-ën, ku përsëri regjistrohet rënie me 0.5% e besimit të biznesit në Shqipëri. Ky është viti i dytë me rënie të Indeksit pas asaj të 2019-ës kur rënia e besimit ishte 5%.

Në studimin e siguruar nga Zëri i Amerikës thuhet se Indeksi i Besimit në 2018-ën ishte 43.16% e tani është 37.6, niveli më i ulët i Indeksit të Besimit nga 2012-ta kur nisi kjo matje e përvitshme e cilësisë së klimës së biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë për anëtarët e saj, aktualisht 220 kompani vendase e shumëkombëshe.

Klima e përgjithshme e biznesit në Shqipëri mbetet e pafavorshme

Më shumë se 71% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë klimën e biznesit në Shqipëri si “të pafavorshme”, vetëm 9% e cilësojnë “pozitive” dhe 20%, “neutrale”.
Performanca e ekonomisë shqiptare ka rënë me 5 pikë. 80% e të anketuarve deklaruan se performanca ra vitin e kaluar.

Për rënien, ata kanë të njëjtin perceptim edhe sa i takon punësimit, investimeve, shkëmbimeve tregtare. Niveli i taksave përbën shqetësim e vlerësohet si jokonkurrues në rajon. Afro 60% e të anketuarve e vlerësojnë si “të pafavorshëm”.

Një nga biznesmenët e përfshirë në anketë shprehet:

Qeveria duhet të rishikojë taksat që zbatohen ndaj bizneseve e individëve. Administrata të zhvillojë takime me bizneset për të dëgjuar nevojat e tyre dhe të thjeshtojë procedurat e taksave!

Pavarësisht sfidave, kompanitë anëtare shprehin angazhimin për të vazhduar veprimtarinë, duke njohur vlerat potenciale të vendit dhe shpresojnë tek përmirësimet e ardhshme, me reforma e forcimin e ligjit.

Një tjetër i anketuar nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, kërkon:

Qeveria duhet të heqë dorë nga shumë burokraci e të krijojë një klimë më të favorshme për investitorët e huaj, që të tërheqë më shumë prej tyre. Shumë investitorë të huaj preferojnë të mos investojnë fare në Shqipëri, sepse fatkeqësisht, shumë pak mund të bëhet në klimën e biznesit, në lidhje me lejet e lehtësinë e funksionimit pa ndërhyrje joformale.

Në komentet bashkangjitur raportit të Indeksit, më së shumti theksohet nevoja e madhe për “luftë ndaj korrupsionit të shtrirë në çdo fushë të jetës në Shqipëri”, për “pakësimin e polarizimit dhe luftës politike”, për “qasje miqësore ndaj biznesit”. Të anketuarit pohuan se pronat private nuk respektohen, janë krijuar monopole dhe oligarki në çdo sektor, ndërsa bizneset mbahen nën presion e penalizohen për vonesat në pagimin e taksave, për shkak të vështirësive të këtij viti pandemie.

Anëtarët e Dhomës Amerikane thanë se kanë nevojë për “digjitalizim, taksa më të ulëta, ndërhyrje më të pakët të qeverisë”, “përparim të vërtetë kundër korrupsionit në procedurat e tenderave nga administrata” dhe “trajtim të ndershëm të kompanive nga autoritetet e taksave”.

Po ashtu kërkohet luftë ndaj informalitetit, depolitizim i administratës, vazhdim i reformës në sistemin e drejtësisë dhe mbajtjen e biznesit larg garave politike elektorale.

Ka shumë për të bërë, por, të paktën, zbatoni ligjet që të keni konkurrencë të lirë. Mos e ndryshoni legjislacionin fiskal çdo muaj, pasi kështu shkatërrohen planet afatgjata të zhvillimit e investimeve që kompanitë kanë hartuar. Rritni kontrollet mbi cilësinë e punimeve të financuara nga buxheti i shtetit!

Qeverisë i bëhet thirrje të mbështesë firmat prodhuese që marrin punëtorë të rinj e ulin papunësinë, si dhe për zbatim të shpejtë të reformave, për të zhvilluar ekonominë e tregut e rritur rolin e Shqipërisë në rajon.

Autoritetet pengojnë procesin me procedura zyrtare të gjata e të kushtueshme, edhe pse ligji doganor parashikon një proces të thjeshtë e të shpejtë. Për këto thjeshtime ka një përvojë të madhe në shumë vende, veçanërisht në SHBA. Nevojitet thjeshtimi i procedurave të eksportit, sidomos në e-commerce.