Aktualitet Zgjedhjet 2025

Dhunë në fushatë zgjedhore, dyshohen deputeti Xhelal Mziu dhe nipi/Rasti shkon në SPAK!

Në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, policia e Bulqizës njofton se dje pas një takimi elektoral të Partisë Demokratike në Ostren, dyshohet se deputeti demokrat Xhelal Mziu dhe nipi i tij kanë goditur me grushta, një punonjës të njësisë administrative. Paraprakisht, mësohet se i dhunuari, i identifikuar si shtetasi Kalosh Murra, mban detyrën e përgjegjësit të ndihmës ekonomike.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh.M., 58 vjeç dhe E.M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K.M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren.