Deputeti i PD Xhelal Mziu ka kritikuar kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi për drejtim të gabuar të Parlamentit. Në fjalën e tij në parlament, Mziu u shpreh se nuk kanë asnjë kopje të rregullores së re, si dhe nuk është lejuar seanca për programin e qeverisë.
Xhelal Mziu akuzoi Niko Peleshin edhe për zhvillimin e seancave në ditë të ndryshme, duke prishur rregullin.
“Me duket pak absurde, pavarësisht se ka kaluar gati 1 muaj dhe akoma nuk është futur në shina parlamenti. Përgjegjësinë më të madhe e keni ju si kryetar. Nuk ka ndodhur në asnjë vend, që në 11 legjislatura të zhvilluara, në të 11 ku jeni drejtues, nuk është votëbesuar qeveria, për këtë përgjegjësia është e juaj ndaj ka dhe 1 muaj që nuk po futemi në shinat e parlamentit. As nuk kemi zhvilluar seanca siç ka qenë historiku i viteve të kaluara. Ju një herë i bëni të hënën, një herë të martën, të mërkurën, të premten. Informaliteti akoma më i madh është që nuk kemi rregullore, ndryshoni rregulloren dhe prapë s’kemi rregullore, e prapë përdorni si instrument rregulloren. Po mbyllet viti 2025 dhe institucionet e pavarura nuk po thirren”, tha Xhelal Mziu.
Ndërkohë deputetja e re socialiste Sara Mila ka bërë ironi me deputetët e opozitës të cilët kërkojnë rikthimin e Parlamentit në normalitet.
Por sipas deputetes Mila, Parlamenti është në funksionim normal duke thënë se opozita të njëjtat veprime ka bërë ndër vite.
“Për çfarë normaliteti po flisni se mua më duket krejt normale kjo gjë? Që kur kam qenë e vogël këtë normalitet kam parë. Këta flasin, ofendojnë, akuzojnë, dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe në seancën për programin. Ne ishim përgatitur. Këta na e shkatërruan këtë mundësi”, tha Sara Mila.