Rajoni

Dhunimi i dy serbëve të mitur në veri, Policia e Kosovës hedh poshtë akuzat!

Policia e Kosovës hedh poshtë pretendimet se dhunoi dy serbë të mitur pasi i ndaloi në rrugën Izvor-Banjska, në komunën e Zveçanit në veri të vendit.

Deklarimet e ndryshme se kinse policia i ka rrahur dy prej këtyre personave nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. Gjatë këtij ndalimi nuk ka pasur sjellje joprofesionale policore.

Reagimi i Policisë së Kosovës vjen pasi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë akuzoi forcat e rendit se keqtrajtuan dy të miturit e identifikuar me iniciale K.R dhe D.R, vëlla e motër.

Ata u rrahën brutalisht në fshatin Zhitkovac, në komunën e Zveçanit, ndërsa udhëtonin me motor.

Lista Serbe akuzoi qeverinë e Albin Kurtit se po “bën gjithçka për të dëbuar popullin serb” dhe se komuniteti ndërkombëtar “nuk po bën gjë për të mbajtur përgjegjës Kurtin”.

Policia saktësoi se ngjarja ndodhi dje pasdite.

Dy persona nuk respektuan sinjalizimin për t’u ndalur dhe ikën në një rrugë malore, por më pas u gjetën. Në një distancë prej rreth 350 metrash, zyrtarët e tjerë policorë hasën personin e tretë, i cili kishte ikur në këmbë. Në atë lokacion është paraqitur edhe një femër, e cila ka deklaruar se është nëna e dy personave të ndaluar nga policia. Pas kontrollimit të personave e të mjetit [motorit], si dhe realizimit të procedurave policore, të tre personat janë liruar.

Lidhur me këtë ngjarje, mediat serbe në veri, raportuan:

Mjeku Boban Mitroviç në spitalin e Zveçanit deklaroi se dy pacientë me inicialet D.R [2005] dhe K.R [2007] u paraqitën në Departamentin e Kirurgjisë. Ata kanë marrë lëndime nga Policia e Kosovës.

Ky zhvillim po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përplasën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Si pasojë e konfrontimeve u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicën e Veriut ku arrestoi serbin Milun Milenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.