Gjykata e Tiranës dënoi me 3 vite burg Mariela Berishën, vendim i cili zbriti në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa për Antonela Berishën u caktua 3 vite shërbim prove, masë që zbriti në 2 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Motrat Berisha u dënuan për shkak të dhunës së ushtruar ndaj blogeres Klea Prenga, ngjarje e shënuar në muajin gusht të vitit 2024.
LEXO EDHE: Klea Prenga reagon ndaj motrave Berisha: “A ke kërkuar mëshirë për tentativë për vrasje…”!
Mariela dhe Antonela Berisha fillimisht u shpallën në kërkim, më pas u vetëdorëzuan në polici dy muaj pas ngjarjes.
Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berisha gjatë kohës që po darkonte në një restorant në kryeqytet. Ajo u godit me sende të forta për motive banale.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave për shkak të brutalitetit të saj. Sipas hetimeve, motivi i sulmit ishte dyshimi i Mariela Berishës se burri i saj e tradhtonte me 24-vjeçaren Klea Prenga. Pamjet e incidentit, tregojnë momentin kur Klea ishte duke konsumuar ushqim me shoqet e saj, kur dy motrat iu afruan dhe e sulmuan.
Pas sulmit, Klea Prenga u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor. Ajo kaloi një periudhë të vështirë për shkak të plagëve të marra, duke e bërë rastin akoma më shqetësues.
Prenga gjithashtu ka përjetuar pasiguri emocionale, duke u mbyllur në vetvete dhe kufizuar daljet e saj në publik. Ajo ka humbur punën si blogere për shkak të cënimit të imazhit pas ngjarjes. Ekspertiza e kryer për nervat facialë të anës së djathtë tregon se dëmtimet janë më shumë të natyrës muskulore dhe nuk prekin drejtpërdrejt nervat.