Në Gjykatën e Tiranës u shty seanca për dy motrat Berisha, të cilat në gusht të vitit të kaluar dhunuan blogeren Klea Prenga. Shkak për shtyrjen e seancës u bë ndryshimi i avokatit nga ana e tyre dhe se kërkoi kohë të njihet me aktet. Mësohet se motrat Antonela dhe Mariela do të përfaqësohen nga avokati Luan Hasneziri. Teksa ishin në pritje të seancës, kërkuan të mos iu bëheshin video. Më 23 mars, Prokuroria e Tiranës dha pretencën për motrat Antonela dhe Mariela Berisha, të cilat goditën me sende të forta Klea Prengën.
Prokurori Ndini Tavani kërkoi 3 vite burg për Mariela Berishën, e cila ndodhet në masën “Arrest ne shtëpi”. Por nga gjykimi i shkurtuar, nëse shpallet fajtore, dënimi i zbret në 2 vite. Për Antonelën kërkoi 3 vite shërbim prove, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 2. Dy motrat u vetëdorëzuan në polici në muajin tetor të vitit të kaluar dhe akuzohen për kryerjen e veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.
Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berisha teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet, mbrëmjen e 6 gushtit 2024. Shkak i dhunës që motrat ushtruan mbi Prengën mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.