Policia e Kosovës konfirmoi se mëngjesin e sotëm janë djegur disa lokale në rrugën “Ilaz Agushi” në Prishtinë. Kjo rrugë gjendet në afërsi të tregut të gjelbër. Policia i tha Radios Evropa e Lirë se në vendngjarje shkuan forcat e rendit dhe zjarrfikësit e nuk raportohet për persona të lënduar.
Mal Gashi, ushtrues detyre i komandantit të brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë, iu deklaroi mediave se:
Zjarri ka përfshirë gjashtë biznese, kafiteri, qebaptore, ato për shitje të pemëve dhe perimeve, si dhe të pajisjeve elektronike. Dëmet janë të mëdha, por me atë do të merren inspektorët për vlerësim.
Gashi u shpreh se ende nuk dihet shkaku i zjarrit.
Në fundjavë u raportua edhe për djegien e një hotel-restoranti në Brezovicë, ndërsa më herët gjatë këtij muaji ishte njoftuar lidhur me djegien e ndërtesës së një klubi nate në kryeqytet. Policia iu pati thënë mediave lokale se në koordinim me prokurorinë ka ndërmarrë veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit.