Studiues nga Instituti Qeveritar Francez, Spitali i Parisit dhe Laboratori Phytosolba po hulumtojnë nëse është e mundur që ngjyra natyrale e flokëve të rikthehet me kalimin e moshës madje edhe të ngadalësohet procesi i zbardhjes. Gjatë punës së tyre, ata kanë zbuluar disa arsye interesante pse flokët mund të zbardhen para kohe. Lyerja e flokëve mund të jetë një prej tyre.
Gjithçka lidhet me melaninën, pigmentin natyral që përcakton ngjyrën e flokëve, syve dhe lëkurës. Të gjithë e kemi në sasi dhe kombinime të ndryshme, duke na dhënë veçorinë e pamjes, por edhe një mbrojtje thelbësore ndaj rrezeve UV dhe dëmtimeve nga dielli. Melanina mund të përforcojë edhe sistemin imunitar dhe të ulë inflamacionin.
Aty ku ka më pak melaninë, shfaqen flokët gri dhe të bardhë. Ndërsa plakja është një arsye natyrore që ngadalëson ose ndalon prodhimin e saj, faktorët e stilit të jetesës si stresi dhe dieta mund ta ndikojnë këtë proces. Por, sipas studiuesve, kjo nuk është e gjitha. Floku në fakt fillon të rritet i bardhë nga brenda folikulit. Pigmenti shfaqet vetëm pasi melanocitet, qelizat që prodhojnë melaninë lëshojnë pigmentin që jep ngjyrën. Kur folikuli plaket ose dëmtohet dhe prodhimi i melaninës ngadalësohet, ndalet, ose qelizat pigmentuese dobësohen, floku i ri del pa ngjyrë. Kjo mungesë pigmenti shfaqet si ngjyrë gri ose e bardhë.
Ndërkaq, flokët e thinjur zakonisht shihen si shenjë plakjeje, por një studim i ri japonez, siç shkruan ScienceAlert, sugjeron se ato mund të jenë në fakt tregues se trupi ynë po mbrohet natyrshëm nga kanceri. Një studim i kryer tek minjtë ka treguar se trupi i njeriut ka evoluar një mekanizëm për të eliminuar qelizat që rrezikojnë të formojnë tumore, edhe nëse kjo nënkupton humbjen e ngjyrës së flokëve. Qelizat tona ekspozohen çdo ditë ndaj faktorëve të ndryshëm mjedisorë që mund të dëmtojnë ADN-në.
Qelizat e lëkurës janë veçanërisht të ndjeshme, sepse veprojnë si linja e parë mbrojtëse për organet e brendshme. Dëmtimi i ADN-së mund të kontribuojë si në plakjen e qelizave, ashtu edhe në zhvillimin e kancerit. Edhe pse ekspertët ende nuk i kuptojnë plotësisht të gjithë mekanizmat që lidhin dëmtimin e ADN-së me shenjat fizike të plakjes, ky studim sjell të dhëna të reja interesante. Studiuesit u përqendruan në melanomën, një formë kanceri që zakonisht shfaqet në lëkurë dhe që lind nga melanocitet, qelizat që prodhojnë melaninën, pigmentin përgjegjës për ngjyrën e lëkurës dhe të flokëve.