Sport

Do të gjykojë finalen e Kupës së Botës, ja sa do të përfitojë arbitri Slavko Vinçiç!

Gjyqtari slloven Slavko Vinçiç është përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar finalen e madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.

Vendimi iu komunikua 46-vjeçarit nga kreu i Komitetit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina. Vinçiç nuk arriti t’i fshihte emocionet, pasi emërimi për të gjykuar finalen e Kupës së Botës konsiderohet kulmi i karrierës së çdo arbitri.

Finalja do të zhvillohet sot në stadiumin “MetLife” të New Jerseyt, me fillim nga ora 21:00. Vinçiç do të ndihmohet nga asistentët Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovaçiç.

Përveç prestigjit të madh sportiv, drejtimi i finales sjell edhe një shpërblim të konsiderueshëm financiar. Sipas medias sllovene ‘Delo’, arbitri kryesor pritet të përfitojë rreth 60 mijë dollarë (afërsisht 52.500 euro) vetëm për finalen.

Po sipas të njëjtit burim, të ardhurat totale të Vincic gjatë gjithë turneut mund të arrijnë në rreth 140 mijë dollarë (120 mijë euro), megjithëse shuma përfundimtare varet nga bonuset dhe llogaritjet e FIFA-s.

LEXO EDHE: E kaluara e errët e Vinçiç, kur gjyqtari i finales gjendej mes prostitutave dhe armëve!

Raportohet se kjo shumë përfshin edhe një tarifë fikse prej 70 mijë dollarësh për pjesëmarrjen në Kupën e Botës, ndërsa pagesat për çdo ndeshje kanë qenë rreth 3 mijë dollarë në fazën e grupeve dhe mbi 5 mijë dollarë në fazën me eliminim direkt.

Megjithatë, FIFA nuk ka publikuar zyrtarisht shifrat që lidhen me pagesat e gjyqtarëve, ndaj informacioni bazohet në raportimet e mediave sllovene.

LEXO EDHE: Mbyllet sondazhi i FIFA-s pak orë para finales, tifozët zgjedhin favoritin për të fituar Kupën e Botës 2026!