Sport

Do të qëndrojë apo do të largohet nga Real Madrird? Mësohet e ardhmja e Toni Kroos…

Toni Kroos ka qenë një nga lojtarët më të përfolur në mediat sportive, për faktin se e ardhmja e tij nuk dihej nëse do të mbetej në Real Madrid apo do të largohej. Mesfushori gjerman është futur në muajt e fundit të kontratës me Los Blancos dhe kishte shumë oferta në drejtim të tij. Megjithatë Kroos ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e tij dhe ai ka vendosur t’i mbetet besnik Real Madridit së paku edhe për një vit tjetër. Futbollisti gjerman po kalon nëpër një formë të shkëlqyer ku ka realizuar një gol dhe ka asistuar në shtatë të tjerë në 28 ndeshje zyrtare. Kroos ka dhënë miratimin e tij për kontratën e re e cila do të jetë një vjeçare nga e cila do të fitoj 8,5 milionë euro pagë vjetore. 34-vjeçari është pjesë e Real Madridit që nga viti 2014 dhe që nga ajo kohë ka qenë një nga lojtarët kyç në suksesin e madrilenëve.

Nga ana tjetër, sa i përket merkatos, në Francë nuk kanë më dyshime, Kylian Mbappe ka vendosur për të ardhmen e tij dhe ajo do të jetë larg PSG-së. Ka qenë vetë e përditshmja franceze ”Le Parisen” e cila ka zbuluar se sulmuesi do i japë fund aventurës së tij në klubin e kryeqytetit, për t’u zhvendosur në një tjetër kryeqytet, në atë të Spanjës. Sipas gazetes franceze, Mbappe ka vendosur që të bashkohet me Real Madridin dhe për këtë tashmë janë të informuar edhe drejtuesit e PSG-së. Ofertat e fundit që këta i kishin bërë lojtarit për të rinovuar nuk kanë bërë punë dhe raportohet se Mbappe ka marrë vendimin përfundimtar. Sigurisht, mbetet zyrtarizimi i marrëveshjes, pasi akordi përfundimtar me Realin nuk është gjetur ende sa i përket anës financiare. Por lojtari është i bindur që të luajë për Realin dhe po pret me padurim verën për t’iu bashkuar skuadrës spanjolle, ku është i sigurt se do të mund të kthehet në një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit botëror pasi e cilëson si “klubin më të madh në botë”.