Bota

Do të qëndrojë apo jo Wagner në Bakhmut të Ukrainës?

Pak ditë më parë, shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin bëri të ditur se më 10 maj, tërhiqen nga luftimet në Bakhmut, në lindje të Ukrainës, por tani po jep sinjale qëndrimi. Sot foli për anulim të planit për tërheqje të forcave nga qyteti strategjik ku janë fokusuar këto luftime intensive. Ky ndryshim vjen pasi në orët e natës  mori premtime se grupi do të furnizohet me armatim, në mënyrë që të fitojë kontrollin e Bakhmutit. Shumë shpejt premtimi u bë realitet dhe për të parën herë pas një kohe të gjatë u pajisën me municione.

Kujtojmë se dy ditë më parë, Prigozhin bëri të qartë se luftëtarët e tij, të cilët po luftojnë prej disa muajsh për Bakhmutin do të largohen nga qyteti, sepse kanë mbetur pa municione, ndaj edhe janë përballur me humbje të pajustifikuara. Madje i pati bërë thirrje publike ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu që Moska të ndihmojë me furnizime.

Neve na janë premtuar municione dhe armë aq sa të kemi nevojë për të vazhduar operacionet e mëtejshme. Neve na është premtuar gjithçka që parandalon përpjekjet e armikut ndaj shkëputjes së furnizimeve tona.

Beteja për Bakhmutin, të cilin Rusia e konsideron “kyç”, për të fituar kontrollin e gjithë rajonit të Donbasit është kthyer në një prej më të përgjakshmeve prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Në një tjetër zhvillim, situata rreth centralit bërthamor Zaporizhzhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme e potencialisht e rrezikshme. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore”, – u shpreh kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.