Në një njoftim të papritur, Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit paraushtarak rus Wagner në Rusi tha se forcat e tij do të largohen nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin po përpiqen ta pushtojnë që nga vera e kaluar, por pa sukses.
Prigozhin konfirmoi se do të largohen më 10 maj, për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme me municione.
Në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, unë deklaroj se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar t’i transferojmë pozicionet në vendbanimin Bahmut në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe t’i tërheqim trupat e mbetur të Wagnerit në kampet e logjistikës. Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bahmuti sepse në mungesë të municioneve, ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë.
Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së Rusisë për të kapur Bahmutin që nga vera e kaluar, në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë, që nisi në shkurt të vitit 2022.
Mbetet e paqartë nëse deklarata e Prigozhinit mund të merret seriozisht, pasi shpesh, ai ka postuar komente impulsive në të kaluarën. Vetëm javën e kaluar, tërhoqi një deklaratë duke thënë se ishte “shaka”.
Ndërkaq, ka të ngjarë që zyrtarët rusë të përdorin sulmin e pretenduar kundër Kremlinit për të anuluar paradat e Ditës së Fitores, më 9 maj, në më shumë qytete. Kështu deklaroi Instituti amerikan për Studimin e Luftës.
Burimet ruse raportuan se paradat në 21 qytete në Rusi dhe Krimenë e pushtuar, tashmë janë anuluar, pa arsyetim zyrtar ose për arsye sigurie. Kremlini dëshiron të përdorë sulmin jo vetëm për të anuluar ngjarjet e 9 majit, por edhe për ta paraqitur luftën në Ukrainë si një kërcënim ekzistencial për vendin.
Me gjasë, Moska shpreson të kufizojë ngjarjet e 9 majit për të mbuluar degradimin e ushtrisë ruse, pasi armatimi më i avancuar shfaqet në mënyrë rutinore në parada, shumë prej të cilave u përdorën në luftën në Ukrainë ose u shkatërruan në luftime.
Po ashtu, Kremlini druhet se festimet për nder të ushtarëve të vdekur mund të bëhen burim potencial i protestave të brendshme, për shkak të numrit të madh të viktimave në Ukrainë.