Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar se do ta shtyjë afatin e 19 qershorit për ByteDance me bazë në Kinë për të shitur TikTok, nëse deri atëherë nuk do të ishte arritur asnjë marrëveshje. Trump tha se aplikacioni e kishte ndimuar të fitonte votues të rinj në zgjedhjet presidenciale të 2024, duke shtuar: “TikTok është është shumë interesant”. Bëhet e ditur se Trump edhe më herët ka shtyrë afatin e shitjes së TikTok, ligj që fillimisht duhej të hynte në fuqi në janar.
Ishte në punë një marrëveshje që do të kthente operacionet e TikTok në SHBA në një kompani të re në pronësi dhe të operuar nga investitorë amerikanë. Senatorët demokratë argumentojnë se Trump nuk ka autoritet ligjor për të zgjatur afatin dhe sugjerojnë se marrëveshja që ishte në shqyrtim nuk do të përmbushte kërkesat ligjore.
ByteDance Ltd., kompania mëmë e TikTok, është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 530 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, për transferim të paligjshëm të të dhënave të përdoruesve në Kinë. Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), i cili është autoriteti kryesor mbikëqyrës i TikTok në Evropë, zbuloi se kompania nuk mori masat e nevojshme për të parandaluar agjencitë shtetërore kineze nga qasja në të dhënat e qytetarëve të BE-së. Sipas DPC, TikTok pranoi në prill se të dhënat e përdoruesve evropianë ruheshin në serverat kinezë, një përgënjeshtrim i deklaratave të saj të mëparshme ndaj autoriteteve. TikTok ka një afat gjashtëmujor për të ndaluar të gjitha transferimet e paligjshme të të dhënave.