Donald Trump po përgatitet të shqyrtojë një propozim përfundimtar për të vendosur të ardhmen e TikTok përpara një afati përfundimtar që aplikacioni të gjejë një blerës jo-kinez ose të përballet me një ndalim nga SHBA. Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, sekretari i tregtisë, Howard Lutnick, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe drejtori i inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard, do të takohen në Zyrën Ovale për të diskutuar këtë çështje.
Trump tha se një marrëveshje me ByteDance për të shitur aplikacionin e shkurtër video të përdorur nga 170 milionë amerikanë do të arrihet përpara afatit të së shtunës. Kujtojmë se Trump po përgatitet të shpallë tarifat globale për atë që ai e ka quajtur “dita e çlirimit”. Javën e kaluar, ai tha se do të ishte i gatshëm të ulte tarifat ndaj Kinës për të përfunduar një marrëveshje për TikTok. Trump caktoi afatin në janar që TikTok të gjejë një blerës jo-kinez ose të përballet me një ndalim të SHBA-së për arsye sigurie kombëtare, që do të kishte hyrë në fuqi atë muaj sipas një ligji të vitit 2024.
Rikujtojmë se Amazon ka bërë një ofertë për të blerë TikTok, aplikacionin popullor në pronësi të ByteDance të Kinës. Ofertën e ka bërë divizioni amerikan i Amazon përmes një letre drejtuar zëvendëspresidentit JD Vance dhe Sekretarit të Tregtisë Howard Lutnick. TikTok, që përdoret nga gati gjysma e amerikanëve, duhet të shitet deri më 5 prill, siç është kërkuar nga një urdhër i dhënë nga presidenti Donald Trump. Kjo çështje ka ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe ka nxitur një ligj të miratuar në vitin 2024, që kërkonte largimin e ByteDance nga kontrolli i TikTok deri më 19 janar.