Presidenti amerikan Donald Trump ka ndarë sërish arsyen pse ka zgjedhur të mos konsumojë asnjëherë alkool apo cigare gjatë jetës së tij.
Në një intervistë për podcast-in “This Past Weekend” të Theo Von, ai tregoi se vendimi lidhet drejtpërdrejt me historinë tragjike të vëllait të tij të madh, Fred Trump Jr.
I pyetur nga Von nëse është e vërtetë që nuk ka pirë asnjëherë, Trump u përgjigj:
Jo, kurrë. Kam pasur një vëlla të jashtëzakonshëm, Fred Trump Jr., i cili më dha një mësim të madh. Ai pinte shumë alkool dhe duhan dhe fatkeqësisht vdiq nga një atak në zemër në vitin 1981, në moshën 42-vjeçare. Ishte një njeri i mrekullueshëm dhe i pashëm.
Presidenti shtoi se këtë histori e ka përdorur shpesh si shembull për fëmijët dhe të rinjtë.
U them gjithmonë njerëzve dhe fëmijëve të mi: ‘Pa drogë, pa alkool, pa cigare’. Këtë e përsëris gjatë gjithë kohës
-tha ai.
Trump kujtoi gjithashtu se sa shumë e kishte admiruar vëllain e tij për personalitetin dhe pamjen, duke pranuar se lufta e Fred-it me varësinë e kishte prekur thellë.
Mendoj se gjithçka nisi në kolegj… familja e pa që po ndryshonte, por gjërat nuk po përmirësoheshin. Ishte e pabesueshme sa gjatë trupi i tij i rezistoi alkoolit
-u shpreh ai.
Historia e Fred Trump Jr. është përfshirë edhe në filmin biografik “The Apprentice” (2024), që trajton periudha të rëndësishme të jetës së familjes Trump.