Politikë

Dosja e Bardh Spahisë kaloi për gjykim, Berisha: Na nderon….

Gjatë një prononcimi për mediat në Shkodër, kreu demokrat Sali Berisha është pyetur lidhur me dosjen ish-kryebashkiakut Bardh Spahia, e cila kaloi sot për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

Berisha tha se nuk e pengon, por përkundrazi, e nderon PD, pasi sipas tij, Spahia “shkon në SPAK dhe zbaton ligjin, ka mbrojtur Kodin e një zyrtari i cili nuk mund të pranojë delikuent në administratë. Pra ai proces na bën nder të gjithëve dhe i bën nder Shkodrës dhe qytetarëve.”

Bardh Spahia shkoi për gjykim, ju pengon kjo?

Berisha: Na nderon, Z.Spahia na nderon. Shpejt qytetarët e Shkodrës do ta marrin vesh se kush është ai që i qeveris aty në bashki, se çfarë përfaqëson bashkiaku i Dobraçit, do ta mësojnë shumë shpejt se çfarë përfaqëson Beci i Dobraçit, kurse Bardh Spahia shkon në SPAK dhe zbaton ligjin, ka mbrojtur Kodin e një zyrtari i cili nuk mund të pranojë delikuent në administratë. Pra ai proces na bën nder të gjithëve dhe i bën nder Shkodrës dhe qytetarëve.

Kujtojmë se Spahia është marrë i pandehur nga SPAK dhe akuzohet për “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Ai është kallëzuar nga shtetasi Mark Molla që pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra si drejtor i ujësjellësit, pa të drejtë.