Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshme kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi.
Zyrtarja lokale u mor e pandehur nga SPAK për akuzën e përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arsyetoi se gjatë gjykimit nuk u provua që Bufi të kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
Majlinda Bufi u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë.
SPAK në pretencë kërkoi dënimin e kryebashkiakes me 1 vit e 6 muaj burg për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
SPAK-u e akuzon Majlinda Bufin se ka përdorur pushtetin që i jepte detyra për të ndikuar në vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Nga hetimet rezulton se Bufi, në detyrën e kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit me inicialet G.B. që të mos merrte pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, si dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
Bufi, e cila drejton bashkinë e Roskovecit prej vitit 2015, ka këmbëngulur se është e pafajshme. Në deklaratat e saj në SPAK, kryebashkiakja shpjegoi se ngjarja ka ndodhur shumë më herët sesa zgjedhjet e 14 majit dhe se nuk bëhet fjalë për kërcënim.
“Derisa të mbarojnë zgjedhjet mos e hap gojën”
Hetimet e SPAK zbuluan se banesa për të cilën qytetari në fjalë kishte kërkuar ndihmë nga bashkia nuk ishte një shtëpi ekzistuese, por ai sapo i kishte nisur punimet dhe nuk kishte as dokumentacion të plotë pronësie. Pavarësisht kësaj, ai ishte përfshirë në programin e mbështetjes sociale, dhe Bufi ishte në dijeni të situatës.
Pak ditë para takimit me kryebashkiaken, punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social.
Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”. Ndër të tjera në këtë takim, Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku personi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës.
“E di si shpëton ti nga kjo gjë? Nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapësh gojë e të shikosh punën tënde. Mos ik fare për votim, vetëm rri në shtëpi dhe shiko punën tënde. Të mos flasësh asnjë fjalë, ti dhe familja jote”, dëgjohet t’i thotë Bufi në përgjime qytetarit.