Aktualitet

Dritan Dajti sërish drejt spitalit nën masa të rrepta sigurie!

Rreth mesnate, Dritan Dajti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e katër policëve në plazhin e Durrësit u transportua me urgjencë nga ambientet e burgut drejt spitalit. Ende nuk dihen arsyet e problemeve shëndetësore ndërsa në më pak se një vit, Dajti është dërguar edhe dy herë të tjera në spital. Në shkurt, për shkak të COVID-it e në nëntor të 2020-ës për gurët në veshka.

Kush është Dritan Dajti?

Historia e tij u bë e famshme kur në mënyrë spektakolare u arratis nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka ishte e planifikuar. Dajti akuzohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo në Tiranë.

Dajti mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t’ia drejtonte edhe prokurorit, që në atë moment po bëhej gati të hynte në sallën e gjyqit.

Dritan Dajti u arratis me pranga në duar, doli nga dera kryesore e gjykatës, u rrëzua një herë, por policia nuk mundi ta neutralizojë. Ai hipi në një motor që drejtohej nga një person dhe u largua ndërsa nga një i paidentifikuar u qëllua disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë. Më tej, qëndroi 6 vite në arrati.

Prej 2009-ës, Dritan Dajti qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 10 vite burg. Qëndrimi në paraburgim përllogaritet një ditë e gjysmë dhe vetëm në momentin kur dënimi merr formë të prerë nga gjykata, qëndrimi në qeli merr përllogaritje standarde.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari mbetën të vrarë më 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin, i cili ishte në kërkim, për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.