Aktualitet

Dumani pyetet për Ballukun: Çështja…

Dy muaj para largimit si drejtues i SPAK, Altin Dumani u përball me deputetët në Kuvend ku për 2 orë prezantoi raportin për vitin 2024 dhe iu përgjigj 65 pyetjeve të deputetëve të opozitës. Deklaratën e tij e vetëm pak ditë më parë se nuk do të rikandiojë më si prokuror i posaçëm, opozita e shfrytëzoi për të pyetur drejtuesin e SPAK nëse kjo është një dorëzim përballë presionit.

Në përgjigjen e tij, Dumani ripërsëriti edhe njëherë kërkesën e tij që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidmit pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar duke hedhur poshtë çdo aludim se kjo kërkesë lidhet me emrin e tij.

 “Unë nuk dorëzohem, nuk jam njeri që dorëzohem, ju bëj ballë sfidave, unë do vazhdoj të jem prokuror i republikës së Shqipërisë po na la zoti jetë. I kam kërkuar disa herë kuvendit të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të mandatit të prokurorit të posaçëm dhe jo në pak raste është aluduar se bëj për interesin tim personal, nëse politika e kushtëzon apo ka mendim se zgjatja e mandatit lidhet me emrin tim, unë nuk rikandioj”, tha Dumani përballë deputetëve.

Dumani u pyet për lajmet që qarkulluan për thirrjen e zv.kryeministres Belinda Balluku në SPAK, duke deklaruar se është një çështje në hetim dhe nuk e komenton, por pa zbuluar se për cilën dosje bëhet fjalë. Nga ana tjetër, përgënjeshtroi pretendimet se ndaj prokurorit Dritan Prençi që ka thirrur Ballukun në SPAK, është ushtruar presion.

“Për çështje në hetim s’kam për të dhënë asnjë koment. Prenci dhe të gjithë prokurorët kanë të gjithë mbështetjen time dhe përkrahjen time si prokurorë të posaçëm. S’më ka paraqitur shqetësim për kërcënime për shkak të funksionit të tim ka mbështetjen time dhe solidaritetin tim në hetimin e çdo çështje dhe siç thashë jo vetëm Prençi”, tha Dumani.

Plot 71 persona janë në sitën e SPAK për 3 inceneratorët, atë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, të cilat janë ende në hetim.

“Po hetohet edhe për fakte penale dhe persona të tjerë, për t’i trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit, këto dy procedime penale kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe i kanë gjetur një drejtë kualifikim ligjor të gjetur nga SPAK”,- tha Dumani.

Nëse kryebashkiaku Erion Veliaj po hetohet për inceneratorin e Tiranës, Dumani u përgjigj se hetimet vijojnë ende.

“Dua të them se, siç ju e dini, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për këto procedime penale”,- tha Dumani.

Dumani tha se asnjë person nuk është i paprekshëm, madje as kryeministri Rama.

Sa i takon punës së SPAK në vitin që lamë pas, Dumani tha se janë sekuestruar pasuri me vlerë 6.5 mln euro. Ndërkohë, kritikave për masat e tepruara të arrestit me burg u përgjigjet duke thënë se vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK.

Sali Berisha mungoi në nisje të fjalës së Dumanit dhe u rikthye në sallë në përfundim të saj, kur kreu i SPAK nisi t’iu përgjigjet pyetjeve. Ndonëse nuk ka regjistruar pyetje për të, Berisha parashikohet të mbajë një fjalë 15 minutëshe, pasi Dumani të ketë përfunduar me përgjigjet e pyetjeve.