Aktualitet Politikë

Dy anëtarët e PD-së në KAS vendosin hapjen e kutive në Gramsh dhe Peqin!

97 kuti votimi do të hapen për Peqinin dhe Gramshin, pas pretendimeve të opozitës për parregullësi të procesit zgjedhor të 11 Majit. Sërish, PD-ja e arriti këtë përmes dy anëtarëve të saj në KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. Madje, Çefa tha se nga pamjet filmike të marra nga KQZ-ja ka dyshime për parregullsi në votim.

Kutitë e Gramshit dhe Peqinit do të hapen për të verifikuar materialet zgjedhore. Fletët nuk do të rinumërohen për efekt rezultati, por do të krahasohen fletët në kuti faktike me procesverbalet e kutive të materialeve zgjedhore, nëse përputhen ose jo. Mbledhja u shoqërua me përplasje mes relatorit të KAS-it, Ilir Rusmali dhe përfaqësuesit të PD-së, Marash Logu. Përplasja nisi për shkak të debateve për votën e disporës.

Logu: Donim një shpjegim. Ka pasur një deklaratë të Celibashit, sipas së cilës janë kursyer rreth 2 milion euro nga kontrata me DHL-në. Më 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër, që KQZ s’do e paguajë DHL-në kur mungon nënshkrimi. Sipas kontratës, kostoja për dërgimin dhe marrjen mbrapsht të një zarfi është 37.5 euro. Nëse KQZ-ja ka bërë vlerësim që do të kursejë 2 milion euro, a do të thotë që ka një vlerësim që në të paktën 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit?

KQZ: Kursimi ishte në kuadër të procesit të rinumërimit të një numri të madh kutish. KQZ shpjegoi se s’do të kërkojë buxhet shtesë, sepse ka ende buxhet në dispozicion dhe përmendi një rast kursimi, që nuk lidhet me zbatimin e kontratës apo me 52 mijë firma, por me faktin se, diferenca mes buxhetit, fondit limit dhe vlerës së ofertë ofertuese është ajo që është kursyer.

Logu: A mund ta konfirmoni që KQZ është duke bërë vlerësim të dokomentacionit që ka paraqitur DHL për rastet kur mungon firma?

KQZ: Do vijojmë me zbatimin e kontratës sipas dispozitave. S’mund të komentoj artikuj.

Logu: Nuk është çështje artikujsh.

KQZ: Nuk është objekt seance.

Rusmaili: Pa nervozizëm

Logu: Se çfarë është objekt seance e përcaktojmë ne që jemi këtej dhe ata që janë andej.

Rusmaili: Nuk e përcaktoni dot.

Logu: E përcaktojmë edhe ne. Mos e fik mikrofonin, kujton se nuk flas dot pa mikrofon.

Rusmaili: Duhet të vendoset qetësia dhe komunikimi korrekt me njëri-tjetrin. Këtë seancë e drejtoj unë dhe fjalën jua jap unë. Nuk jemi në pazar. Jemi në seancë serioze. Po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm. Duhet të qetësohesh e të mos krijosh incidente.