Aktualitet

Dy vatra zjarri në Prrenjas, ndërhyjnë zjarrfikësit, shmanget përhapja e flakëve pranë banesave!

Dy vatra zjarri janë regjistruar gjatë orëve të fundit në territorin e Bashkisë së Prrenjasit, njëra në fshatin Skënderbe të Njësisë Administrative Rrajcë dhe tjetra në Njësinë Administrative Qukës.

Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta që kanë përfshirë zonën, duke rritur rrezikun për përhapjen e tyre drejt sipërfaqeve të tjera. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit Prrenjas, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe banorët e zonave të prekura, u bë i mundur izolimi dhe shuarja e plotë e të dy vatrave, duke parandaluar që flakët të afroheshin pranë banesave.

Sipas informacioneve, nga këto zjarre nuk ka pasur dëme në njerëz apo në banesa. Janë regjistruar vetëm dëme materiale dhe djegie të disa sipërfaqeve të prekura nga flakët.

Bashkia u ka bërë sërish apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, duke mos ndezur zjarre në natyrë, duke mos hedhur bishta cigaresh apo materiale të ndezshme në ambiente të hapura dhe duke njoftuar menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri të konstatuar.

LEXO EDHE: Zjarret shkatërruese në pyjet e Francës, zjarrfikësi vullnetar në telashe, dyshohet se ishte shkaktari i nisjes së flakëve!

Më herët u izolua zjarri i evidentuar në zonën e Qafë Thanës.

Sipas informacioneve paraprake mësohet se zjarri ka nisur si pasojë e djegies të disa gomave në zonë çka më pas ka filluar të depërtojë në një sipërfaqe më të madhe.

Fatmirësisht zjarri u izolua nga forcat zjarrfikëse ndërsa po punohet për identifikimin e personave që ishin shkaktarë të zjarrit.

LEXO EDHE: “Nuk ke paguar qiranë e automjeteve”/ Morën peng dhe dhunuan të riun, arrestohen dy vëllezërit në Lezhë