Rajoni

Dy viktima pas rrëzimit nga një objekt ndërtimi në Gjakovë!

Dy persona gjetën vdekjen mëngjesin e sotëm në Gjakovë, sipas raportimeve të fundit të Policisë së Kosovës, të cituara nga mediat vendase. Viktimat ishin punëtorë ndërtimi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj deklaroi:

Ata u rrëzuan nga një lartësi e objektit që ka qenë duke u ndërtuar dhe nuk kanë mundur t’i përballojnë plagët e marra.

Forcat e rendit shkuan në vendin e ngjarjes dhe u bë e ditur se janë duke u kryer hetime për të hedhur më shumë dritë rreth rastit.

Në të kaluarën, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë raportuar duke mos e fshehur shqetësimin lidhur me kushtet e rënda të punës, me të cilat përballen punëtorët e sektorit të ndërtimit.

Në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve e të makinerive janë detyrime që duhet t’i zbatojë çdo punëdhënës për të punësuarit e tij.

Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për 2024-ën, vitin e kaluar u regjistruan shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës në Kosovë.