I ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë eksperti i IT-së, Ardit Gavani. Ai ka diskutuar më shumë mbi varësinë ndaj ChatGPT. Cilat janë rreziqet që vijnë realisht nga AI?
ChatGPT mund të quhet varësi apo adaptim?
E ke pak si mik. Mendoj se duhet ndarë pak në breza, në gjenerata. Elementi i varësisë është parë më tepër statistikisht nga gjenerata Z, e cila për mendimin tim ka pasur dhe fatin e mirë dhe fatin e keq që ka lindur në një epokë ku ka një gjullurdi të paparë teknologjike. Rrjetet sociale kanë qenë aty dhe kanë qenë të pa mirëkontrolluara. Dhe mendoj që njerëzimi ka akoma punë për të bërë për menaxhimin e rrjeteve sociale, sepse keq më vjen ta them, por janë një kancer i paparë që e ka prishur shumë shoqërinë. Por mendoj që më vonë do të vihen rregulla, me ID. Brezi Z është parë që ka pasur një varësi të paparë ndaj TikTok-ut. Kjo kombinuar edhe me hyrjen masive të AI dhe ChatGPT, është parë që ky brez ka varësi dhe po i ndikon shumë edhe në aspektin psikologjik, sepse po e përdorin ChatGPT për gjëra shumë emocionale dhe psikologjike. Duke qenë se janë brez adoleshentë dhe paraadoleshentë, sepse janë nga viti ’97 deri në 2012, e përdorin edhe si mik. Gjenerata Z ka dalë statistikisht shumë e vetmuar dhe në vend që të socializohen, e gjejnë çdo gjë tek ChatGPT. Dje po shikoja një psikolog online që thoshte se nuk ka problem ta përdorësh për të marrë një mendim, qoftë edhe diçka që keni frikë t’ia thoni dikujt, ose diçka që është shumë personale, një mendim që duhet ta shikoni me një qasje tjetër, por jo ta merrni të mirëqenë çdo gjë që thotë, sepse ndryshe nga një psikolog real, kompjuterat AI janë të ftohtë.