Aktualitet

Eduard Selami thirrje Bashës të tërheqë statutin

Eduard Selami i kërkon Lulzim Bashës të tërheqë statutin e ri, të cilin e shikon si më të keqin që ka patur ndonjëherë Partia Demokratike. Ish-rivali i Bashës në garën për kreun e Selisë Blu kërkoi fjalën në Kuvendin Kombëtar të PD-së të mbledhur sot për miratimin e ndryshimeve statutore. I njohur si kritik i kryetarit, Selami paralajmëroi se “Me këtë statut, Partia do të shkojë më keq akoma”. “Basha tërhiqe këtë statut. Mbaj premtimin. Hape PD-në. Bëj analizën e humbjeve. Pavarësisht se i shtrëngova dorën Bashës dhe i urova fitoren, doli një video ku shfaqej vjedhja e votave. Si mund të jemi ne partia e demokracisë kur votat vidhen brenda nesh?”, – tha Selami, fjala e të cilit u shoqërua me fishkëllima në sallë. Ndërkaq, Kuvendi Kombëtar vijon punimet prej 4 orësh në Pallatin e Kongreseve.