Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e të dielës së kaluar në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo pasi një 44 vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri jashtë restorantit ku punonte.
Një i dyshuar u dërgua në paraburgim për ngjarjen, që ndodhi në orën 21:38, në Prime 7 Bar&Restaurant, 635 Cooley Lake Road, në Commerce Township.
Zyrtarët që shkuan në vendngjarje gjetën viktimën të shtrirë në një verandë jashtë restorantit. U identifikua si shtetasi Françesk Shkambi, banues në Howell.
Mjekët në vendngjarje filluan trajtimin dhe 44 vjeçari u transportua në një spital lokal, ku më vonë ndërroi jetë, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp nga zyra e sherifit.
I dyshuari është një banor 65 vjeç i Farmington Hills, i cili u dorëzua vetë. Por, nuk ka detaje lidhur me kombësinë e tij dhe arsyet e krimit që i mori jetën shqiptarit në Amerikë.
Ndërkaq, raportohet se hetuesit gjetën një armë zjarri që ata besojnë se u përdor gjatë vrasjes, një pistoletë 9 mm që u raportua e vjedhur, referuar autoriteteve.