Kur bëhet fjalë për modën dhe bukurinë, ylli televiziv Kim Kardashian është ndër të parat që përqafon tendencat e reja. Me kalimin e viteve, miliarderja ka ndihmuar në futjen e stileve të ndryshme, por ka të paktën një gjë me të cilën ajo ende nuk ka eksperimentuar. Deri në këtë moment, Kardashian nuk ka asnjë tatuazh dhe ka të ngjarë të mos bëjë kurrë një të tillë sepse i urren ato.

Kim ka bërë të qartë se dëshiron ta mbajë trupin e saj ashtu siç është. Disa fansa mund të kishin dyshuar se ajo do të ndryshonte mendje me kalimin e viteve, por ajo vetëm sa e ka përforcuar bindjen e saj. Kur një fanse e pyeti në vitin 2013 nëse do të bënte një tatuazh, Kardashian tha se në mënyrë absolute nuk do ta bënte diçka të tillë. 41-vjeçarja mund të mos dëshirojë të realizojë një tatuazh pasi ka parë disa nga anëtarët e familjes së saj të pendohen për tatuazhet e tyre. Në vitin 2015, motra e saj, Khloé Kardashian përfundoi duke hequr një tatuazh në pjesën e poshtme të shpinës së saj, të cilin e bëri në moshën 16-vjeçare.

Khloé shkroi në Instagram se duhej ta kishte dëgjuar motrën e saj Kim, kur ajo e paralajmëroi që të mos e bënte. Kim thjesht nuk dëshiron të bëjë asgjë që mund të shkaktojë acarim të mëtejshëm në lëkurën e saj. Ndërkaq, rikujtojmë se së fundmi Kim Kardashian ka zbuluar tatuazhin e të dashurit të saj, Pete Davidson, i cili ka shkruar nën lëkurën e tij: “E dashura ime është një avokate”. 41-vjeçarja publikoi një fotografi të tatuazhit, të realizuar pranë shpatullës së tij, në InstaStory. Kim më parë zbuloi se Pete e kishte bërë tatuazhin gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Ellen DeGeneres Show”, ku ajo gjithashtu njoftoi se ai kishte realizuar tatuazh emrin e saj në gjoks.