Gossip Music

Ellie Goulding nis epokën e re muzikore me këngën “Destiny”, në klip shfaqet i dashuri i ri!

Ellie Goulding ka hapur një kapitull të ri në karrierën dhe jetën e saj personale. Këngëtarja britanike, 38 vjeçe, ka publikuar të premten, më 14 nëntor, këngën e saj më të re “Destiny”, e shoqëruar me një videoklip ku shfaqet edhe i dashuri i saj, Beau Minniear.

Kënga është projekti i saj i parë solo pas albumit të pestë Higher Than Heaven, lansuar në vitin 2023, dhe njëkohësisht publikimi i parë muzikor pas ndarjes nga bashkëshorti Caspar Jopling, me të cilin ishte e martuar për rreth katër vjet e gjysmë. Çifti bëri publike ndarjen në vitin 2024.

Kur e regjistrova këtë këngë, ndjeva një pastrim shpirtëror. Më bëri të ndihem më e mirë, sikur shpërblimi ishte vetë unë

-është shprehur Goulding.

Në vend që të investoja gjithçka te këta burra, kjo këngë ishte e para që më dha ndjenjën e lirisë dhe fuqisë… tingëllon si dorëzim, si ‘le të ndodhë’. Prandaj e quajta ‘Destiny’.

Videoklipi, i drejtuar nga Floria Sigismondi, e paraqet artistën duke kënduar në një vilë elegante në fshat, ndërsa kalon kohë me Minniear, 28 vjeç, fytyra e të cilit nuk shfaqet plotësisht.

Dyshja shijojnë një darkë luksoze, kanë momente intime dhe shkëmbejnë puthje, duke reflektuar atmosferën sensuale dhe të lirë të këngës.

Goulding dhe Minniear e bënë lidhjen publike në shtator, pasi ai postoi në Instagram një foto provokuese të saj, ku këngëtarja shfaqej e zhveshur në shtrat.

Në një intervistë për NME, Goulding ka treguar se “Destiny” erdhi në një periudhë shumë të vështirë të jetës së saj, gjatë procesit të ndarjes nga Jopling, me të cilin ndan djalin e tyre 4-vjeçar, Arthur.

Ajo e ka përshkruar atë periudhë si një nga më të errëtat, ndërsa muzika u kthye në mënyrën e saj për ta përballuar dhe transformuar dhimbjen.

Me “Destiny”, Ellie Goulding jo vetëm prezanton epokën e re muzikore, por edhe ritregon veten si një grua më e lirë, më e fuqishme dhe gati për kapitullin tjetër në jetë dhe në dashuri.