Elon Musk tha se do të tërhiqte ofertën për të blerë OpenAI nëse lideri i inteligjencës artificiale do të mbetej një organizatë jofitimprurëse. Kjo deklaratë, e bërë në dokumentet gjyqësore të mërkurën, është përplasja më e fundit mes Muskut, njeriut më të pasur në botë dhe themeluesit të OpenAI, Sam Altman. “Nëse bordi i OpenAI Inc. është i gatshëm të ruajë misionin bamirës dhe të heqë tabelën ‘në shitje’ nga asetet e saj duke ndalur konvertimin, Musk do të tërheqë ofertën”-thuhet në dokumentin gjyqësor të së mërkurës.
“Në të kundërtën, organizata bamirëse duhet të kompensohet me shumën që një blerës i jashtëm do të paguante për asetet e saj”-shtoi ai. Të hënën, Musk dhe grupi i tij i investitorëve ofruan 97.4 miliardë dollarë për OpenAI, kompaninë lider të inteligjencës artificiale në botë. Deri më tani, Altman ka refuzuar ofertën e Muskut, duke e akuzuar atë se është më shumë i interesuar për të “ngadalësuar një konkurrent” sesa për të blerë OpenAI. Kompania filloi si një organizatë jofitimprurëse në vitin 2015 dhe u konvertua në një model “fitim të kufizuar” në 2019.
Nga ana tjetër, Musk ka shprehur kundërshtimin ndaj largimit të OpenAI nga statusi fillestar jofitimprurës. Ndërsa Musk siguroi një pjesë të financimit fillestar për OpenAI, Altman tha në muajin dhjetor se organizata filloi të kalonte në një model me fitim të kufizuar sepse themeluesi i Tesla dhe SpaceX ndaloi kontributet financiare. Ai i tha CNBC se ky status do ta bënte OpenAI më tërheqëse për investitorët.
Elon Musk ka njoftuar se chatboti i tij me Al dhe “konkurrenti” i ChatGPT, Grok 3, është në fazat përfundimtare të zhvillimit dhe do të dalë në treg për rreth një ose dy javë. “Grok 3 ka aftësi shumë të fuqishme arsyetimi, kështu që në testet që kemi bërë deri më tani, Grok 3 është duke tejkaluar çdo pritshmëri”-tha Musk. Bëhet e ditur se manjati miliarder i teknologjisë themeloi xAI si një konkurrent për OpenAI të mbështetur nga Microsoft dhe Google të Alphabet. Musk gjithashtu bashkëthemeloi OpenAI.