“Crostata di ricotta e visciole” e cila është një tartë me rikota dhe vishnja, një ëmbëlsirë që përgatitet kryesisht në Romë, thuhet se simbolizon zgjuarsinë dhe qëndrueshmërinë hebreje përballë shtypjes. Mirëpo, pas saj fshihen edhe më shumë histori. “Është një mashtrim, një recete perfekte për të mashtruar”,- thotë Ruben Bondi, një kuzhinier hebre. Pas kërkimeve të shumta, ai zbuloi se kjo tortë u krijua për t’iu shmangur një urdhri absurd që Vatikani kishte vendosur kundër hebrenjve.
Në Kapitullin XXIV të Ediktit të Papa Piu VI, në shekullin e 18-të, hebrejve u ndalohej të shisnin djathë dhe produkte qumështi. Iacopo Scaramuzzi, ekspert i Vatikanit thotë se:
Pse djathë?! Pa ndonjë arsye specifike, thjesht një formë për t’i poshtëruar hebrejtë. Kisha besonte se krishterimi duhej të zëvendësonte hebraizmin dhe ata bënë gjithçka për t’ua bërë të pamundur jetën hebrenjve. Argjendarëve nuk u lejohej të farkëtonin menorah, një simbol hebre që përdorej për ritualet fetare. Burrat dhe gratë hebreje duhej të mbanin një copë pëlhure të verdhë të qepur në kapelën e tyre, ata nuk mund të flisnin me të krishterët, si dhe nuk mund të nderonin me ritet e tyre të vdekurit. Gjithashtu, u ndaluan nga shumë aktivitete biznesi, duke përfshirë shitjen e djathit.
Në një situatë të tillë të vështirë, furrtarët hebrenj shpikën “kalin e tyre të Trojës”: Crostata di ricotta e visciole. Ata e mbuluan tartën me një shtresë brumi, në mënyrë që askush të mos e shihte rikotën brenda saj dhe ta shisnin pa frikë. Vishnjat, një nga përbërësit e rëndësishëm të ëmbëlsirës, u sollën nga Azia në Romë nga hebrenjtë e parë që u vendosën aty, midis shekullit të 2-të para erës sonë dhe shekullit të parë pas Krishtit. Fillimisht, ata punonin si tregtarë, por më vonë shumica vuajti internimet dhe burgosjet gjatë luftës së parë hebreo-romake.