Hulumtuesit kanë zbuluar se pikëllimi zgjat 240 herë më shumë se emocionet e tjera, duke përfshirë turpin, befasinë, acarimin apo edhe monotoninë. Pikëllimi zakonisht shkon bashkë me ngjarjet që kanë lënë gjurmë të madhe, si vdekja apo aksidenti. Për ta testuar kohëzgjatjen dhe efektin e emocioneve, Philippe Verduyn dhe Saskia Lavrijsen nga Universiteti i Leuvenit në Belgjikë kanë kërkuar nga 233 studentë që t’i kujtojnë përvojat e tyre të kohëve të fundit të ngarkuara emocionalisht dhe ta regjistrojnë kohëzgjatjen e tyre. Pjesëmarrësit gjithashtu duhej t’u përgjigjeshin pyetjeve në lidhje me strategjitë e përdorura për t’u ballafaquar me këto gjendje emocionale. Nga 27 emocionet, pikëllimi zgjati më së shumti, ndërsa ndjenjat e turpit, befasisë, frikës, neverisë, monotonisë, prekjes, acarimit apo ndjenja e lehtësimit zgjatën shumë më pak.
Zakonisht nevojiteshin 120 orë që ndjenja e pikëllimit të ndalej, ndërsa për 30 minuta tejkaloheshin ndjenja e neverisë dhe turpit. Urrejtja zgjati 60 orë, ndërsa lumturia 35 orë. Monotonia gjithashtu është regjistruar në mesin e emocioneve me kohëzgjatje më të shkurtër, dhe ekspertët pohojnë se kjo do të thotë se edhe pse duket se koha kalon më ngadalë kur jemi të mërzitur, përvoja e monotonisë zakonisht nuk zgjat aq gjatë.
Hulumtimi i tyre, është i pari që ofron dëshmi të cilat shpjegojnë se pse disa emocione zgjasin më shumë se të tjerat. Gjithashtu, studiuesit gjetën se emocionet me kohëzgjatje më të shkurtër zakonisht shkaktohen nga ngjarjet që kanë relativisht pak kuptim për jetën tonë. Nga ana tjetër, emocionet me kohëzgjatje më të gjatë janë zakonisht ato që shkaktohen nga ngjarjet që kanë një ndikim më të fortë në jetën tonë. Prof. Verduyn shtoi se disa nga këto implikime mund të bëhen të qarta vetëm me kalimin e kohës, gjë që pastaj shkakton që gjendja konkrete emocionale të ruhet ose rritet.
Kohëzgjatja e emocioneve
Pikëllimi: 120 orë
Urrejtja: 60 orë
Dëshpërimi, shpresa, ankthi, zhgënjimi dhe kënaqësia: 24 orë
Xhelozia: 15 orë
Ekstaza: 6 orë
Admirimi dhe mirënjohja: 5 orë
Ndjenja e relaksimit: 4,3 orë
Faji: 3,5 orë
Stresi: 3 orë
Krenaria: 2,6 orë
Prekshmëria: 2,5 orë
Zemërimi, monotonia dhe befasia: 2 orë
Acarimi: 1,3 orë
Dhembshuria: 1,3 orë
Poshtërimi: 0,8 orë
Frika: 0,7 orë
Turpi dhe neveria: 0,5 orë
Pikëllimi për një të afërm ose mik të ngushtë ju vë në rrezik të vdisni nga një zemër e thyer, thonë ekspertët. Presioni i gjakut u zbulua se rritej kur mbani zi për një të dashur duke i bërë presion shtesë zemrës. Edhe duke u kërkuar njerëzve të kujtojnë pikëllimin e tyre, presioni i gjakut rritej në një nivel që zakonisht shihet pas ushtrimeve të moderuara.